Publikimi i anketës 'Politika ndërkombëtare dhe dialogu Kosovë-Serbi: Perceptimet e qytetarëve kosovarë'
		
		
		Me datën 17 Dhjetor PIPS publikoi anketën Politika Ndërkombëtare dhe Dialogu Kosovë-Serbi e nxjerrë në bashkëpunim me Konrad Adenauer Stiftung (KAS). Disa prej të gjeturave kryesore të këtij raporti janë:
 -Tre shtetet kryesore partnere të Kosovës sipas respondentëve janë: ShBA, Gjermania dhe Britania e Madhe;
 -Angela Merkel është liderja e preferuar e kosovarëve me një shifër prej rreth 63%, ndërkaq Presidenti Amerikan Donald Trump është renditur i dyti;
 -Rreth 50% besojnë se Kosova është dëmtuar nga fushata e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës;
 -Respondentët ishin të ndarë në mënyrë thuajse të barabartë në relacion me tarifën 100% ndaj Serbisë, ku rreth rreth 44% thonë se Qeveria e re e Kosovës duhet të heqë tarifën 100% për produktet serbe, krahasuar me rreth 45% që kanë deklaruar se tarifa duhet të mbetet
 -Opcioni i preferuar për shumicën e respondentëve nga dialogu me Serbinë, domethënë për rreth 69%, është që Kosova duhet të kërkojë njohje në kufijtë ekzistues;
 -Rreth 23% besojnë se marrëveshja Kosovë-Serbi do të arrihet brenda vitit 2020, krahasuar me rreth 43% që besojnë se ajo do të arrihet brenda tre viteve, ndërkaq rreth 43% besojnë se ajo do të arrihet brenda pesë viteve;
 -Rreth 39% besojnë se tema e shkëmbimit të territoreve e ka dëmtuar pozicionin e Kosovës në dialog me Serbinë.
 Gjatë ngjarjes së publikimit, mysafirë dhe diskutantë në panel ishin Armend Muja, Profesor i Shkencave Politike dhe gjithashtu Granit Tërnava nga Konrad Adenauer Stiftung (KAS). Butrint Berisha nga PIPS bëri prezantimin e rezultateve të raportit.