Nënshkrimi i Deklaratës së përbashkët nga Forumet Rinore të Partive Politike
Sot, më 22 shtator, Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), mblodhi Kryetarët e Forumeve Rinore të partive politike në Kosovë, ku ata nënshkruan një Deklaratë të Përbashkët, duke u zotuar për një kulturë politike me integritet, pa gjuhë të urrejtjes dhe pa dezinformim gjatë fushatave zgjedhore. Deklarata është një zotim moral dhe politik që dërgon mesazhin se politika mund të bëhet me respekt, dinjitet dhe transparencë.
Të rinjtë u zotuan se do ta luftojnë dezinformimin, gjuhën e urrejtjes dhe dhunën online, duke ruajtur etikën politike dhe duke mos toleruar dhunë në politikë apo në jetën publike.
Deklarata u nënshkrua nga forumet rinore të:
• Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (Amire Ajeti),
• Lidhja Demokratike e Kosovës (Paris Guri),
• Partia Demokratike e Kosovës - PDK (Arbnora Salihu),
• PSD (Bardh Ahmeti),
të cilët shprehën qartë zotimin e tyre për një kulturë politike me integritet.
Në këtë nënshkrim nuk mori pjesë Lëvizja VETËVENDOSJE!, partia me përqindjen më të madhe të votuesve në zgjedhjet e fundit.
Drejtoresha ekzekutive e PIPS, Leonora Kryeziu, e cilësoi këtë dokument si “një zotim moral e politik në kohë polarizimi”, duke theksuar se rinia po dërgon mesazhin se politika mund të bëhet me dinjitet e respekt.
Ndërsa përfaqësuesit e forumeve shtuan se kjo është një arritje e rëndësishme për të promovuar politikë me integritet (Amire Ajeti, AAK), një vazhdimësi e refuzimit të gjuhës së urrejtjes (Arbnora Salihu, PDK), një nismë me frymë pozitive (Bardh Ahmeti, PSD), dhe një hap i domosdoshëm për kapërcimin e polarizimit politik (Paris Guri, LDK). Gjithashtu, të gjithë përfaqësuesit theksuan se mungesa e partisë më të madhe në këtë proces është një mangësi serioze, që e bën edhe më të domosdoshëm angazhimin e të rinjëve.
Ky aktivitet është pjesë e projektit të PIPS dhe Demo Finland “NextGen Leaders: Empowering Kosovo’s Political Future”.
Ky aktivitet është zhvilluar me mbështetjen e Demo Finland dhe Ministrisë për Punë të Jashtme të Finlandës. Qëndrimet e shprehura këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pozicionet zyrtare të Demo Finland apo të Ministrisë. Për më shumë informacion, vizitoni www.demofinland.org
Programet | |
Viti i publikimit | |