e mërkurë, 14 korrik 2021
Më 14 Korrik PIPS mbajti diskutimin për ecurinë e reformës së administratës publike në Kosovë.
Diskutimi mblodhi hulumtues, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues qeveritarë e shërbyes civilë për të folur për ngecjet dhe koordinimin e duhur për progresin e kësaj reforme të nevojshme.
Gjatë diskutimit u prezantua raporti përmbledhës për reformën e administratës publike, i punuar nga PIPS.
Kontribut në panel dhanë Znj. Venera Ramaj nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Z. Valon Gashi nga Zyra për Kritere Politike e Zyrës së Kryeministrit dhe Z. Demush Shasha nga Instituti EPIK.
Pikat kryesore nga diskutimi ishin:
- Mungesa e vizionit dhe vullnetit politik si dhe jostabiliteti politik kanë ndikuar në stagnimin e reformës;
- Digjitalizimit të administratës publike duhet t'i vihet theks të veçantë si pjesë e reformës dhe për arsye të përfitimeve të cilat do të pasonin;
- Për krijimin e hovit për reformën duhet edhe të forcohet koordinimi ndërmjet nivelit lokal dhe qendror;
- Reforma nuk duhet të shihet vetëm si kusht nga BE-ja por edhe si mundësi për përafrimin me BE-në.
e enjte, 8 korrik 2021
Kemi përmbyllur seminarin e tretë të Shkollës Politike me gjeneratën e 19-të gjatë datave 2-4 Korrik.
Kësaj rradhe theks të veçantë në seminar patën temat e parandalimit dhe luftimit të ekstremizmit të dhunshëm, përmes ligjëratave gjatë të cilave pjesëmarrësit e Shkollës Politike u informuan rreth ekstremizmit të dhunshëm në kontekst global e rajonal, dallimin mes koncepteve të terrorizmit, ekstremizmit, radikalizmit, si dhe statistikat dhe inciativat e ndërmarra për riatdhesimin dhe rehabilitimin e luftëtarëve të kthyer në Kosovë.
Në një kontekst më të gjerë, seminari trajtoi politikën e jashtme kosovare, politikën botërore, teoritë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, duke i ofruar pjesëmarrësve disa ngjyrime të të kuptuarit të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë Kombëtare - nga prizmi politik, ligjor dhe social.
Tutje, pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë dhe diskutojnë me zëvëndësministrin aktual të MPJD për rrjedhën e deritanishme të qasjes së Kosovës me akterët rajonal dhe global si dhe planin e kësaj qeverie.
Ky seminar është mbajtur me mbështetjen e Advocacy Training and Resource Center - ATRC përmes Resilient Community Program dhe Këshillit të Evropës - Council of Europe.