Publikimi i rezultateve të anketës "Mendësia e qytetarëve rreth pyetjeve politike" e hënë, 19 korrik 20210

Publikimi i rezultateve të anketës "Mendësia e qytetarëve rreth pyetjeve politike"

PIPS në bashkëpunim me Konrad-Adenauer-Stiftung Kosovo ka publikuar rezultatet e anketës "Mendësia e qytetarëve rreth pyetjeve politike".

Publikimi ka nxjerrë të dhëna interesante rreth pikëvështrimeve të qytetarëve kosovarë për ndërlidhjen e shtetit me ekonominë, liritë individuale, ideologjinë e partitë politike në vend, pjesëmarrjen politike dhe segmentimin e votuesit kosovarë sipas krahut ideologjik.

Gjetjet e raportit u prezantuan më 19 Korrik. Prezantimin mund ta ndiqni përmes vegëzës: https://www.facebook.com/watch/live/?v=1018364208701645&ref=watch_permalink
Diskutimi mbi Reformën e Administratës Publike në Kosovë e mërkurë, 14 korrik 20210

Diskutimi mbi Reformën e Administratës Publike në Kosovë

Më 14 Korrik PIPS mbajti diskutimin për ecurinë e reformës së administratës publike në Kosovë.

Diskutimi mblodhi hulumtues, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues qeveritarë e shërbyes civilë për të folur për ngecjet dhe koordinimin e duhur për progresin e kësaj reforme të nevojshme.

Gjatë diskutimit u prezantua raporti përmbledhës për reformën e administratës publike, i punuar nga PIPS.

Kontribut në panel dhanë Znj. Venera Ramaj nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Z. Valon Gashi nga Zyra për Kritere Politike e Zyrës së Kryeministrit dhe Z. Demush Shasha nga Instituti EPIK.

Pikat kryesore nga diskutimi ishin:
- Mungesa e vizionit dhe vullnetit politik si dhe jostabiliteti politik kanë ndikuar në stagnimin e reformës;
- Digjitalizimit të administratës publike duhet t'i vihet theks të veçantë si pjesë e reformës dhe për arsye të përfitimeve të cilat do të pasonin;
- Për krijimin e hovit për reformën duhet edhe të forcohet koordinimi ndërmjet nivelit lokal dhe qendror;
- Reforma nuk duhet të shihet vetëm si kusht nga BE-ja por edhe si mundësi për përafrimin me BE-në.
Seminari i Tretë i Shkollës Politike 2021 e enjte, 8 korrik 20210

Seminari i Tretë i Shkollës Politike 2021

Kemi përmbyllur seminarin e tretë të Shkollës Politike me gjeneratën e 19-të gjatë datave 2-4 Korrik.

Kësaj rradhe theks të veçantë në seminar patën temat e parandalimit dhe luftimit të ekstremizmit të dhunshëm, përmes ligjëratave gjatë të cilave pjesëmarrësit e Shkollës Politike u informuan rreth ekstremizmit të dhunshëm në kontekst global e rajonal, dallimin mes koncepteve të terrorizmit, ekstremizmit, radikalizmit, si dhe statistikat dhe inciativat e ndërmarra për riatdhesimin dhe rehabilitimin e luftëtarëve të kthyer në Kosovë.

Në një kontekst më të gjerë, seminari trajtoi politikën e jashtme kosovare, politikën botërore, teoritë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, duke i ofruar pjesëmarrësve disa ngjyrime të të kuptuarit të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë Kombëtare - nga prizmi politik, ligjor dhe social.

Tutje, pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë dhe diskutojnë me zëvëndësministrin aktual të MPJD për rrjedhën e deritanishme të qasjes së Kosovës me akterët rajonal dhe global si dhe planin e kësaj qeverie.

Ky seminar është mbajtur me mbështetjen e Advocacy Training and Resource Center - ATRC përmes Resilient Community Program dhe Këshillit të Evropës - Council of Europe.
Diskutim i mbyllur për ndërtimin e koncensusit politik në Kosovë e martë, 8 qershor 20210

Diskutim i mbyllur për ndërtimin e koncensusit politik në Kosovë

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) më 8 Qershor ka mbajtur diskutimin e mbyllur me përfaqësues nga institucionet, partitë politike, organizatat joqeveritare dhe misionet e huaja në Kosovë, ku është diskutuar për rëndësinë e koncensusit dhe pajtimit të gjerë në fushën e politikës së jashtme, duke përfshirë dialogun Kosovë-Serbi.
Në këtë rrafsh, janë diskutuar ide nga akterët mbi alternativat e mundshme që do t’i mundësonin Kosovës që të artikulojë një qëndrim të qartë dhe pozicion sa më të favorshëm në sferën ndërkombëtare.
Ky aktivitet i parë do të vijohet me ngjarje të tjera të ngjashme në të ardhmen.
Seminari i Dytë i Shkollës Politike e martë, 25 maj 20210

Seminari i Dytë i Shkollës Politike

Prej 21-23 Maj PIPS ka mbajtur Seminarin e Dytë të Shkollës Politike për gjeneratën e 19-të.

Ky seminar ishte një gërshëtim i diskutimeve me ekspertë për ndikimin e ideologjisë politike në politika publike dhe shkëmbimit mes pjesëmarrësve.

Pjesëmarrësit u njohën më afër me pikëpamjet e të majtës dhe së djathtës për ekonomi dhe politika sociale; diskutuan nga një qasje pluraliste për ndërhyrjen e shtetit dhe tregun e lirë dhe punuan së bashku për të mbrojtur qëndrimet e tyre për propozime politikash të përzgjedhura.
RSS
First89101113151617Last
Aktivitetet më të shikuara
 
Seminari III i Shkollës Politike: Paqja, Diplomacia dhe Siguria (Gjenerata 24)
Jon Krasniqi
/ Kategoria: Aktivitetet

Seminari III i Shkollës Politike: Paqja, Diplomacia dhe Siguria (Gjenerata 24)

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) organizoi Seminarin III të Shkollës Politike gjatë datave 3-5 korrik, kushtuar temës “Paqja, Diplomacia dhe Siguria”, me fokus të veçantë në pozitën e Kosovës në një rend botëror dhe mjedis gjeopolitik në ndryshim.

Gjatë tri ditëve, pjesëmarrësit patën mundësi të diskutojnë zhvillimet aktuale në politikën e jashtme të Kosovës, procesin e njohjes ndërkombëtare, integrimin euro-atlantik, dinamikat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe mënyrat e reagimit institucional ndaj situatave të krizës.

Dita e parë: Kosova në një rend botëror në ndryshim

Dita e pare përfshiu dy sesione të fokusuara në ndryshimet në rendin ndërkombëtar dhe implikimet e tyre për Kosovën.

Rendi Botëror Multipolar dhe Politika e Jashtme e Kosovës – me Dr. Butrint Berisha, trajtoi kalimin nga një rend unipolar drejt një sistemi më multipolar, ndryshimin e balancave globale të fuqisë, dobësimin e normave ndërkombëtare dhe multilateralizmit, si dhe transformimin e aleancave. Diskutimi u fokusua edhe në sfidat që ky mjedis i ri paraqet për politikën e jashtme të Kosovës si shtet i vogël që synon njohje të plotë ndërkombëtare.

Shtetësia e Kosovës dhe Njohja Ndërkombëtare në vitin 2026: Argumentet Ligjore, Kufizimet Diplomatike dhe Opsionet Strategjike – me Dr. Kushtrim Istrefi, shqyrtoi ndërlidhjen ndërmjet së drejtës ndërkombëtare, njohjes dhe ndërtimit të paqes. Diskutimi përfshiu procesin e ngecur të njohjeve të Kosovës, dialogun Kosovë-Serbi, rolin e pesë shteteve mosnjohëse të BE-së, si dhe strategjitë ligjore dhe diplomatike për forcimin e pranisë ndërkombëtare të Kosovës.

Dita e dytë: Integrimi Euro-Atlantik dhe Dinamikat Rajonale

Dita e dytë u fokusua në perspektivën euro-atlantike të Kosovës dhe zhvillimet gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor.

Politika e Jashtme e Kosovës pas Pavarësisë: Mësimet e Nxjerra dhe Prioritetet Strategjike për Dekadën e Ardhshme – me z. Muhamet Brajshori, ofroi një reflektim mbi zhvillimin e politikës së jashtme të Kosovës që nga pavarësia, arritjet dhe mundësitë e humbura, si dhe prioritetet strategjike për forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit.

Diplomacia e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor: Pragmatizmi, Siguria dhe e Ardhmja e Partneritetit Strategjik të Kosovës – me Prof. Pëllumb Kelmendi, trajtoi ndryshimet në diplomacinë amerikane, dinamikat e sigurisë në rajon dhe ndikimin e tyre në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

Ballkani Perëndimor në një Peizazh Gjeopolitik në Ndryshim: Sfidat Rajonale dhe Zhvillimet Globale – me z. Ylber Hysa, u fokusua në ndikimin e zhvillimeve globale mbi stabilitetin rajonal, qeverisjen demokratike, sigurinë dhe perspektivat e integrimit evropian.

Përmes punës në grupe, pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mbi pozicionimin strategjik të Kosovës në një mjedis Euro-Atlantik në ndryshim, të fasilituar nga ekipi i PIPS.

Dita e tretë: Siguria, Rezilienca dhe Reagimi ndaj Krizave

Dita e fundit e seminarit u fokusua në sigurinë e Kosovës, perspektivën e saj drejt NATO-s dhe aftësinë për të reaguar ndaj situatave të krizës.

Kosova dhe NATO: Nga Partneriteti i Sigurisë drejt një Rruge të Besueshme për Anëtarësim – me znj. Besa Kabashi Ramaj, shqyrtoi perspektivat e Kosovës për avancim drejt anëtarësimit në NATO, duke marrë parasysh kufizimet politike, të sigurisë dhe institucionale. Sesioni trajtoi marrëdhënien e Kosovës me NATO-n dhe KFOR-in, rolin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, sfidën e shteteve mosnjohëse brenda NATO-s dhe reformat e nevojshme për një strategji të besueshme të integrimit.

Seminari u përmbyll me “Lojë Vendimmarrjeje në Krizë: Diplomacia, Siguria dhe Koordinimi Institucional nën Presion”, me z. Bajram Geci. Përmes një simulimi në grupe, pjesëmarrësit iu përgjigjën një skenari krize që përfshinte presion të politikës së jashtme, dinamika rajonale të sigurisë, kërcënime hibride, komunikim publik dhe koordinim institucional. Ushtrimi u mundësoi pjesëmarrësve të vlerësojnë rreziqet, të përcaktojnë prioritete, të koordinojnë përgjigjet institucionale dhe të marrin vendime nën presion kohor.

Me këtë aktivitet u përmbyll Seminari III i Shkollës Politike mbi Paqen, Diplomacinë dhe Sigurinë, duke ofruar një hapësirë për diskutim, analizë dhe të nxënë praktik mbi sfidat me të cilat përballet Kosova dhe rajoni në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks.

PIPS falënderon të gjithë ligjëruesit, pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët për kontributin e tyre në zhvillimin e këtij seminari.

Programi i Shkollës Politike mbështetet nga Këshilli i Evropës dhe Demo Finland, ndërsa ky seminar u mbështet nga Konrad-Adenauer-Stiftung Kosovo (KAS).

Next Article Tryeza dhe prezantimi i publikimit 'Raportimi i përgjegjshëm mbi ballafaqimin me të kaluarën dhe sfidat e medias në Kosovë'
Print
334 Rate this article:
No rating
Programet
  • Shkolla Politike
Viti i publikimit
  • 2026