Publikimi i rezultateve të anketës "Mendësia e qytetarëve rreth pyetjeve politike" e hënë, 19 korrik 20210

Publikimi i rezultateve të anketës "Mendësia e qytetarëve rreth pyetjeve politike"

PIPS në bashkëpunim me Konrad-Adenauer-Stiftung Kosovo ka publikuar rezultatet e anketës "Mendësia e qytetarëve rreth pyetjeve politike".

Publikimi ka nxjerrë të dhëna interesante rreth pikëvështrimeve të qytetarëve kosovarë për ndërlidhjen e shtetit me ekonominë, liritë individuale, ideologjinë e partitë politike në vend, pjesëmarrjen politike dhe segmentimin e votuesit kosovarë sipas krahut ideologjik.

Gjetjet e raportit u prezantuan më 19 Korrik. Prezantimin mund ta ndiqni përmes vegëzës: https://www.facebook.com/watch/live/?v=1018364208701645&ref=watch_permalink
Diskutimi mbi Reformën e Administratës Publike në Kosovë e mërkurë, 14 korrik 20210

Diskutimi mbi Reformën e Administratës Publike në Kosovë

Më 14 Korrik PIPS mbajti diskutimin për ecurinë e reformës së administratës publike në Kosovë.

Diskutimi mblodhi hulumtues, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues qeveritarë e shërbyes civilë për të folur për ngecjet dhe koordinimin e duhur për progresin e kësaj reforme të nevojshme.

Gjatë diskutimit u prezantua raporti përmbledhës për reformën e administratës publike, i punuar nga PIPS.

Kontribut në panel dhanë Znj. Venera Ramaj nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Z. Valon Gashi nga Zyra për Kritere Politike e Zyrës së Kryeministrit dhe Z. Demush Shasha nga Instituti EPIK.

Pikat kryesore nga diskutimi ishin:
- Mungesa e vizionit dhe vullnetit politik si dhe jostabiliteti politik kanë ndikuar në stagnimin e reformës;
- Digjitalizimit të administratës publike duhet t'i vihet theks të veçantë si pjesë e reformës dhe për arsye të përfitimeve të cilat do të pasonin;
- Për krijimin e hovit për reformën duhet edhe të forcohet koordinimi ndërmjet nivelit lokal dhe qendror;
- Reforma nuk duhet të shihet vetëm si kusht nga BE-ja por edhe si mundësi për përafrimin me BE-në.
Seminari i Tretë i Shkollës Politike 2021 e enjte, 8 korrik 20210

Seminari i Tretë i Shkollës Politike 2021

Kemi përmbyllur seminarin e tretë të Shkollës Politike me gjeneratën e 19-të gjatë datave 2-4 Korrik.

Kësaj rradhe theks të veçantë në seminar patën temat e parandalimit dhe luftimit të ekstremizmit të dhunshëm, përmes ligjëratave gjatë të cilave pjesëmarrësit e Shkollës Politike u informuan rreth ekstremizmit të dhunshëm në kontekst global e rajonal, dallimin mes koncepteve të terrorizmit, ekstremizmit, radikalizmit, si dhe statistikat dhe inciativat e ndërmarra për riatdhesimin dhe rehabilitimin e luftëtarëve të kthyer në Kosovë.

Në një kontekst më të gjerë, seminari trajtoi politikën e jashtme kosovare, politikën botërore, teoritë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, duke i ofruar pjesëmarrësve disa ngjyrime të të kuptuarit të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë Kombëtare - nga prizmi politik, ligjor dhe social.

Tutje, pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë dhe diskutojnë me zëvëndësministrin aktual të MPJD për rrjedhën e deritanishme të qasjes së Kosovës me akterët rajonal dhe global si dhe planin e kësaj qeverie.

Ky seminar është mbajtur me mbështetjen e Advocacy Training and Resource Center - ATRC përmes Resilient Community Program dhe Këshillit të Evropës - Council of Europe.
Diskutim i mbyllur për ndërtimin e koncensusit politik në Kosovë e martë, 8 qershor 20210

Diskutim i mbyllur për ndërtimin e koncensusit politik në Kosovë

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) më 8 Qershor ka mbajtur diskutimin e mbyllur me përfaqësues nga institucionet, partitë politike, organizatat joqeveritare dhe misionet e huaja në Kosovë, ku është diskutuar për rëndësinë e koncensusit dhe pajtimit të gjerë në fushën e politikës së jashtme, duke përfshirë dialogun Kosovë-Serbi.
Në këtë rrafsh, janë diskutuar ide nga akterët mbi alternativat e mundshme që do t’i mundësonin Kosovës që të artikulojë një qëndrim të qartë dhe pozicion sa më të favorshëm në sferën ndërkombëtare.
Ky aktivitet i parë do të vijohet me ngjarje të tjera të ngjashme në të ardhmen.
Seminari i Dytë i Shkollës Politike e martë, 25 maj 20210

Seminari i Dytë i Shkollës Politike

Prej 21-23 Maj PIPS ka mbajtur Seminarin e Dytë të Shkollës Politike për gjeneratën e 19-të.

Ky seminar ishte një gërshëtim i diskutimeve me ekspertë për ndikimin e ideologjisë politike në politika publike dhe shkëmbimit mes pjesëmarrësve.

Pjesëmarrësit u njohën më afër me pikëpamjet e të majtës dhe së djathtës për ekonomi dhe politika sociale; diskutuan nga një qasje pluraliste për ndërhyrjen e shtetit dhe tregun e lirë dhe punuan së bashku për të mbrojtur qëndrimet e tyre për propozime politikash të përzgjedhura.
RSS
First89101113151617Last
Aktivitetet më të shikuara
 
Seminari II i Shkollës Politike: Politikat Publike, Sundimi i Ligjit dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm
Jon Krasniqi
/ Kategoria: Aktivitetet

Seminari II i Shkollës Politike: Politikat Publike, Sundimi i Ligjit dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm

PIPS mbajti Seminarin II të Shkollës Politike me 29-31 maj në Brezovicë, me fokus në Politikat Publike, Sundimin e Ligjit dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm. Gjatë dy ditëve të para, pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime dhe ushtrime praktike mbi sfidat e hartimit të politikave, zbatimit institucional, sundimit të ligjit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe politikave energjetike në Kosovë.

Seminari u hap me fjalën hyrëse të znj. Leonora Kryeziu, Drejtoreshë Ekzekutive e PIPS, dhe vazhdoi me një sërë sesionesh të udhëhequra nga ekspertë nga fusha akademike, institucionet publike, shoqëria civile dhe sektori i politikave publike.

Dita e parë u fokusua në hendekun ndërmjet hartimit dhe zbatimit të politikave. Në sesionin “Nga Dizajni te Zbatimi: Pse politikat e mira dështojnë në praktikë?”, z. Bernard Nikaj, Profesor i Angazhuar në RIT Kosovo (A.U.K), analizoi ciklin e politikëbërjes përtej modelit teorik, duke theksuar faktorët institucionalë, administrativë dhe politikë që ndikojnë në efektivitetin e politikave në Kosovë.

Ky sesion u pasua nga ushtrimi interaktiv në grup, “Nga Analiza në Zgjidhje: Diagnostikimi i një politike publike reale”, gjithashtu i lehtësuar nga z. Nikaj. Pjesëmarrësit punuan me një rast konkret të politikës publike në Kosovë, duke identifikuar sfidat kryesore të zbatimit, aktorët përgjegjës dhe pengesat institucionale.

Dita e dytë e seminarit u thellua më tej në dimensionet strukturore dhe institucionale të politikëbërjes në Kosovë përmes katër sesioneve tematike.

Në sesionin “Kapaciteti Shtetëror në Praktikë: Pse institucionet dështojnë të zbatojnë politikat?”, z. Besnik Tahiri shqyrtoi rolin e kapaciteteve institucionale në zbatimin e politikave publike dhe sundimin e ligjit, duke u fokusuar në sfida si politizimi i administratës, mungesa e profesionalizmit, qarkullimi i stafit dhe hendeku ndërmjet ambicieve politike dhe kapaciteteve reale për zbatim.

Sesioni “Sundimi i Ligjit dhe Llogaridhënia Institucionale” me z. Ehat Miftaraj trajtoi sundimin e ligjit si mekanizëm kyç për llogaridhënie dhe efektivitet institucional, me fokus në korrupsionin, prokurimin publik, rolin e institucioneve mbikëqyrëse, si dhe dallimin ndërmjet kornizës ligjore dhe zbatimit praktik në Kosovë.

Në sesionin “Zhvillimi i Qëndrueshëm si Politikë Publike: Balancimi i rritjes, mjedisit dhe barazisë”, z. Shpend Ahmeti eksploroi zhvillimin e qëndrueshëm si qasje të integruar të politikëbërjes, duke analizuar Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe ndikimin e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, si dhe sfidat e përkthimit të këtyre kornizave në politika konkrete dhe të zbatueshme për Kosovën.

Dita u përmbyll me sesionin “Politikat Energjetike në Kosovë: Siguria, Tregu dhe Tranzicioni i Gjelbër” me z. Trim Ternava, i cili trajtoi sektorin e energjisë në Kosovë si rast konkret të kompleksitetit të politikëbërjes, duke u fokusuar në balancimin ndërmjet sigurisë së furnizimit, qëndrueshmërisë financiare dhe tranzicionit drejt energjisë së pastër.

Përfunduam Seminarin II-të me një Ditë 3 që shikoi drejt së ardhmes, duke lidhur sfidat e reformave në Kosovë me integrimin evropian, qeverisjen digjitale dhe rolin e lidershipit.

Dita e tretë përfshiu dy sesione dhe një reflektim mbyllës:

Integrimi Evropian si Motor Reformash: Nga Standardet te Zbatimi me znj. Engjellushe Morina, analizoi integrimin evropian si mekanizëm që shtyn reformat strukturore dhe përmirësimin e qeverisjes, me fokus në sfidën kryesore të Kosovës: përkthimin e standardeve të BE-së në politika të zbatueshme dhe të qëndrueshme në praktikë.

Qeverisja Digjitale në Kosovë: Politikëbërja në Epokën e Inteligjencës Artificiale me z. Valon Canhasi, eksploroi rolin e teknologjive të avancuara në vendimmarrjen publike, potencialin e AI për politika më të informuara, si dhe sfidat që lidhen me etikën, privatësinë, mbrojtjen e të dhënave dhe përgjegjësinë institucionale.

Faleminderit të gjithë folësve, pjesëmarrësve dhe partnerëve për tre ditë kuptimplota të të mësuarit dhe shkëmbimit!

Shkolla Politike mbështetet nga Këshilli i Evropës, Demo Finland dhe Konrad Adenauer Stiftung Kosovo.

Previous Article Tryeza dhe prezantimi i publikimit 'Raportimi i përgjegjshëm mbi ballafaqimin me të kaluarën dhe sfidat e medias në Kosovë'
Next Article Seminari Rajonal për Drejtësi Tranzicionale/Regional Seminar on Transitional Justice/Regionalni seminar o tranzicionoj pravdi
Print
3276 Rate this article:
No rating
Programet
  • Shkolla Politike
Viti i publikimit
  • 2026