1 tetor 2025
Instituti i Prishtinës për Studime Politike prezantoi sot Vjetarin e Politikës së Jashtme të Kosovës.
Raporti thekson një periudhë të karakterizuar nga marrëdhënie të tensionuara me partnerët kyç, progres i kufizuar në angazhimin shumëpalësh dhe ngecje në proceset e integrimit në BE dhe NATO. Përkundër arritjes së liberalizimit të vizave, diplomacia e Kosovës është përballur me sfida dhe pengesa të mëdha.
Diskutimi solli në pah rritjen e pasivitetit diplomatik të Kosovës, duke paralajmëruar për humbjen e drejtimit strategjik në politikën e jashtme. Një tjetër pikë kyçe ishte se si Kosova do të orientohet në një rend botëror në ndryshim, nga kornizat liberale drejt ripozicionimeve të reja gjeopolitike, dhe çfarë nënkupton kjo për pozicionimin e saj strategjik.
Në panel, Muhamet Brajshori dhe Ilir Deda ndanë reflektimet e tyre, duke theksuar respektivisht se Kosova ka “humbur busullën në raport me aleatët dhe jo-aleatët”, ndërsa “2025-ta do të mbahet mend si viti i humbjeve të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare, një pengesë e vështirë për t’u rikuperuar, edhe me një qeveri të re.”