10 July 2025
Instituti i Prishtinës për Studime Politike – PIPS, me mbështetjen e Demo Finland, organizoi dje takimin e dytë të Forumit për Dialog Ndërpartiak. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të partive politike (të forumeve rinore, asambleistë të kuvendeve komunale) të cilët patën rastin të diskutojnë me ekspertin z. Kreshnik Gashi (Kryeredaktor dhe Redaktor Menaxhues i KALLXO.com).
Tema kryesore e diskutimit ishte “Dezinformimi dhe gjuha e urrejtjes”, faktorë që paraqesin sfida serioze për dialogun politik dhe stabilitetin shoqëror në Kosovë. Z. Gashi ndau me pjesëmarrësit mekanizmat e luftimit të dezinformimit, ndërsa pjesëmarrësit ndanë përvoja konkrete dhe shembuj të realitetit aktual, duke theksuar rëndësinë e luftimit të dezinformimit dhe promovimit të një komunikimi të përgjegjshëm dhe pa gjuhë nxitëse.