e hënë, 19 maj 2025
Shkolla Politike (Gjenerata 23) ka nisur zyrtarisht programin me seminarin e parë këtë fundjavë!
Nga data 11 deri më 13 prill, Shkolla Politike hapi zyrtarisht edicionin e saj të radhës me një seminar tre-ditor, ku pjesëmarrësit e Gjeneratës 23 filluan rrugëtimin e tyre njëvjeçar me entuziazëm dhe përkushtim. Programi nisi me prezantimin e partnerëve dhe përmbajtjes, ndërsa gjatë ditëve në vijim u zhvilluan diskutime të thelluara mbi shtetin, paqen, konfliktin dhe kohezionin social, nën moderimin e z. Ramadan Ilazi dhe me ligjërues si znj. Marta Gazideda, z. Dukagjin Gorani, z. Robert Muharremi, z. Enver Hasani, z. Betim Zllanoga dhe z. Senad Sabovic. Seminarin e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe përfaqësues nga Këshilli i Evropës dhe Konrad-Adenauer-Stiftung Kosovo, partnerët tanë strategjikë. Diskutimet dinamike, puna ekipore dhe reflektimet mbi sfidat e ndërtimit të një shoqërie gjithëpërfshirëse shënuan një fillim të fortë për këtë gjeneratë të re liderësh.
Falënderim i veçantë Këshillit të Evropës për mbështetjen e programit , si dhe Konrad Adenauer Stiftung Kosovo për mbështetjen e këtij seminari.
e martë, 14 janar 2025
Shkolla Politike, e themeluar për të fuqizuar liderët në sferat politike, ekonomike, sociale dhe kulturore, ka hapur thirrjen për aplikim në gjeneratën e saj të 23-të.
Kush mund të aplikojë?
Mirëpresim kandidatë nga partitë politike, institucionet publike, mediat, OJQ-të dhe bizneset. Kandidatët e interesuar duhet të kenë të përfunduar nivelin Bachelor dhe njohja e gjuhës angleze është e detyrueshme. Si profesionist aktiv në fushën tuaj, shfrytëzojeni këtë mundësi për të kontribuar në të ardhmen e juaj!
Përfitimet nga Programi i Shkollës Politike të Prishtinës:
· Ngritje e njohurive në nxitjen e demokracisë, respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
· Njohuri të thelluara nga ligjëruesit më prominent vendas dhe ndërkombëtarë.
· Certifikim nga Këshilli i Evropës
· Pjesëmarrje ekskluzive në Forumin Botëror për Demokraci në Strasburg.
· Pjesë e rrjetit tonë prej mbi 700 alumni.
Afati i Aplikimit: 31 Janar 2025
e mërkurë, 18 dhjetor 2024
Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) mbrëmë, në praninë e partnerëve, alumnistëve dhe mes miqësh, shënoi diplomimin e gjeneratës së 22-të, duke përmbyllur edhe një cikël të suksesshëm të programit të Shkollës Politike. Ky program ka qenë dhe vazhdon të jetë më shumë se një mundësi edukimi, është një nxitës për lidership dhe një themel për një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
Shkolla Politike vazhdon të angazhohet për gjithëpërfshirje dhe diversitet, që janë thelbësore për një shoqëri demokratike dhe progresive.
Si çdo herë, në përmbyllje të programit të Shkollës Politike, reflektuam mbi sfidat që na përcollën gjatë vitit dhe pritjet për vitin vijues.