Aktivitetet më të shikuara
Seminari i III-të të Shkollës Politike - Gjenerata 21 (Siguria Nacionale dhe Politika e Jashtme)
Seminari III-të i Shkollës Politike u përmbyll me sukses në Prishtinë! Ishte një fundjavë e mbushur me diskutime interaktive, ligjërata me përmbajtje interesante dhe socializim!
Dita jonë e parë nisi me një ligjëratë nga z. Fisnik Korenica, i cili eksploroi temën "Politika e jashtme si një instrument për shtetet sovrane". Diskutimi vazhdoi me një seancë interaktive Q&A, që i lejoi grupit të thellohej më shumë në këtë temë. Dita vazhdoi me ligjëratën nga z. Blerim Shala, i cili shtjelloi temën “Marrëveshjet e Paqes në Marrëdhëniet Ndërkombëtare”.
Dita e dytë ishte po aq interesante, falë pranisë së ligjëruesve dhe angazhimin e grupit. Prof. Gëzim Visoka hodhi dritë mbi temën ‘Politika e jashtme e Kosovës: raportet dypalëshe dhe shumëpalëshe’. Për më tepër, grupi kishte privilegjin të mësoj për rolin e NATO-s në forcimin e institucioneve të mbrojtjes dhe sigurisë dhe perspektivën e Kosovës për anëtarësim nga znj. Drita Perezic, duke ndezur diskutime interaktive dhe perspektiva dhe ide të reja në mes grupit. Pasdite, z. Burim RAMADANIshpalosi marrëdhëniet e ndërlikuara mes institucioneve të sigurisë dhe kërcënimeve ekzistuese për sigurinë, duke nxitur bisedat mes grupit.
Në ditën e fundit, seminarin e konkluduam me dy ligjërata/diskutime shumë të përmbajtshme. Z. Ramadan Ilazi eksploroi temen 'Rritja e radikalizmit etno-politik, kohezioni social dhe rëndësia e ruajtjes së stabilitetit të brendshëm', duke nxitur një diskutim intensiv midis grupit dhe z. Ilazi. Së fundi, patëm kënaqësinë që për herë të parë të mirëpresim z. Blerim Krasniqi, i cili na dha një hyrje në botën intriguese të sigurisë kibernetike, duke u fokusuar veçanërisht në sfidat dhe strategjitë në Kosovë për mbrojtjen e infrastrukturës dhe të dhënave digjitale.
Ne dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë për Konrad-Adenauer-Stiftung Kosovo dhe Këshillin e Evropës për mbështetjen e palëkundur të Shkollës Politike. Pa përkushtimin e tyre, ky seminar nuk do të ishte i mundur.
Programet | |
Viti i publikimit | |