Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Instituti GAP, dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) më 3 Gusht kanë mbajtur konferencë për media me temën “Monitorimi i realizimit të objektivave nga Agjenda për Reforma Evropiane (ERA)”.
Në këtë konferencë u prezantuan të gjeturat nga monitorimi i obligimeve të mbetura dhe të parapara që të finalizohen gjatë vitit 2018, sipas vendimit të mbledhjes së trembëdhjetë të Qeverisë së Kosovës që u mbajt në nëntor të vitit të kaluar.
Njomza Mjeku, Zyrtare e Projekteve në GLPS, theksoi se në fushën e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit disa nga veprimet të cilat kanë ngecje dhe mbesin ende në proces janë: miratimi i legjislacionit për pezullimin e zyrtarëve publik në raste korrupsioni, miratimi i ligjit për gjyqtarë dhe prokurorë, miratimi i pakos ligjore për reformën e administratës publike dhe pakos ligjore për reformën zgjedhore, ndër të tjera.
Nora Jusufi, Hulumtuese në Institutin GAP, theksoi se në fushën e konkurrueshmërisë dhe klimës së investimeve disa nga objektivat që kanë progres, por nuk janë përmbushur janë ristrukturimi i KIESA-s, miratimi i ligjit për efiçiencë të energjisë si dhe krijimit të fondit gjegjës si dhe zbatimi i masave të buta në kuadër të agjendës së inter-konvektivitetit për shkak të mos-zbatimit të marrëveshjeve nga të gjitha palët nënshkruese.
Visar Xhambazi, hulumtues në PIPS, tha se në fushën e punësimit dhe arsimit disa nga ngecjet e objektivave në këtë fushë ndërlidhen me miratimi i rregulloreve të punës për Agjencinë e Punësimit, ndarja e buxhetit të duhur për implementimin e Planit Strategjik për Arsim, themelimi i Agjencisë për Kurrikulë, Standarde dhe Vlerësim, dhe hartimi i kurrikulave bërthamë për Arsimin dhe Aftësimin Profesional.
Në total plani i veprimit të zbatimit të ERA-s për vitin 2018 perfshin 29 masa të përgjithshme të cilat zbërthehen në 107 veprime konkrete, prej te cilave për këtë periudhë vetëm 42.99% janë përmbushur plotësisht, 17.76% jane përmbushur pjeserisht, dhe 14.02% nuk janë përmbushur fare, ndërsa 25.23% pritet të përpunohen gjatë periudhës korrik-dhjetor 2018.
Programet | |
Viti i publikimit | |