Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) mbrëmë, në praninë e partnerëve, alumnistëve dhe mes miqësh, shënoi diplomimin e gjeneratës së 22-të, duke përmbyllur edhe një cikël të suksesshëm të programit të Shkollës Politike. Ky program ka qenë dhe vazhdon të jetë më shumë se një mundësi edukimi, është një nxitës për lidership dhe një themel për një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
Shkolla Politike vazhdon të angazhohet për gjithëpërfshirje dhe diversitet, që janë thelbësore për një shoqëri demokratike dhe progresive.
Si çdo herë, në përmbyllje të programit të Shkollës Politike, reflektuam mbi sfidat që na përcollën gjatë vitit dhe pritjet për vitin vijues.
Kishim kënaqësinë që për një fjalë rasti, ta kishim z. Tankut Soykan (zëvendës shef i zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë) së bashku me z. Granit Tërnava (Menaxher i Programeve në Konrad Adenauer Stiftung Kosovo) si dhe së bashku me z. Ramadan Ilazi, z. Ilir Deda dhe z. Miodrag Milićević diskutuam mbi mësimet që mund të nxirren nga përvojat e vitit 2024 dhe mënyrat se si mund të adresohet kriza politike dhe mungesa e kohezionit social në Kosovë. U theksua gjithashtu rëndësia e rikthimit të besimit publik dhe përpjekjet për të çuar përpara integrimin evropian të Kosovës.
Realizimi i të gjitha moduleve të Gjeneratës së 22-të u bë i mundur falë mbështetjes së partnerëve tanë të vazhdueshëm: Këshillit të Evropës, Konrad Adenauer Stiftung, si dhe UNDP, të cilët këtë vit mundësuan përfshirjen e një moduli të rëndësishëm mbi drejtësinë tranzicionale, duke theksuar rëndësinë e të vërtetës, pajtimit dhe paqes së qëndrueshme.
Programs | - School for Political Studies
|
Publication Year | |