Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) përmbylli Seminarin IV të Shkollës Politike, kushtuar temës “Komunikimi Politik, Media, Dezinformimi dhe Integriteti i Debatit Demokratik”.
Gjatë tri ditëve, pjesëmarrësit diskutuan mbi rolin e medias në një demokraci, sfidat e komunikimit politik dhe ndikimin e dezinformimit në mënyrën se si qytetarët e kuptojnë realitetin politik.
Seminari u hap me diskutime mbi lirinë e medias dhe rolin e saj në kërkimin e llogaridhënies nga pushteti. Me Dr. Flutura Kusarin, pjesëmarrësit trajtuan lirinë e shprehjes, qasjen në dokumente publike dhe rolin e mediave të pavarura në mbikëqyrjen e institucioneve. Një pjesë e veçantë iu kushtua edhe padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), ndikimit të tyre në gazetari dhe rrezikut që presioni ligjor të çojë në vetëcensurë.
Dita e dytë u përqendrua në dezinformimin, manipulimin e informacionit dhe komunikimin politik. Me z. Kreshnik Gashi, pjesëmarrësit shqyrtuan mënyrën se si narrativat manipuluese funksionojnë dhe fuqizohen në mjedise të polarizuara, si dhe ndikimin e emocioneve, algoritmeve dhe flluskave informative në perceptimin e publikut.
Në vijim, me z. Neritan Sejaminin, diskutimi u zhvendos te komunikimi përmes emocioneve, rrëfimit dhe ndikimit. Pjesëmarrësit eksploruan mënyrën se si ndërtohen historitë politike dhe çfarë e bën një mesazh të qartë, të besueshëm dhe koherent. Një prej ideve që përmblodhi diskutimin ishte: “Jo fjalët që thua ti – fjalët që dëgjojnë ata.”
Dita e fundit u fokusua në raportin mes medias, politikës, pushtetit dhe publikut, me z. Lirim Mehmetaj dhe z. Osman Stafa. Diskutimi trajtoi disa nga dilemat me të cilat përballen gazetarët sot: kufirin mes gazetarisë kritike dhe aktivizmit politik, raportin mes paanshmërisë dhe interesit publik, si dhe pyetjen se kush e formëson narrativën politike, politikanët, mediat, platformat apo vetë publiku.
Në këtë kuadër, pjesëmarrësit reflektuan edhe mbi një prej sfidave themelore të debatit demokratik: si ndërtohet dhe ruhet besimi i publikut në një mjedis të mbushur me narrativa dhe burime të shumta informacioni.
Në ditën e fundit, Seminarit iu bashkuan edhe pjesëmarrës nga Akademia e Studimeve Politike, duke sjellë perspektiva të reja dhe duke pasuruar shkëmbimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Tri ditët e seminarit krijuan hapësirë për diskutim, reflektim dhe punë praktike mbi mënyrën se si komunikimi, media dhe informacioni ndikojnë në cilësinë e debatit publik dhe në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve demokratike.
Programi i Shkollës Politike mbështetet nga Këshilli i Evropës dhe Demo Finland.
| Programet | |
| Viti i publikimit | |