Opinion nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike

12

Date: 15.08.2017

Kohët e fundit relievi politik i Kosovës është përshkuar me një ashpërsim të ligjërimit të akterëve, rrjedhimisht me një ashpërsim qëndrimesh. Kjo ka reflektuar jo pak në zhvlerësimin e debatit të mirëfilltë mbi reforma politike, duke e orientuar debatin publik në aspekte triviale dhe gjithashtu ka vështirësuar deri në bllokadë funksionimin e sistemit politik.

Lufta politike pushon së qeni luftë politike kur interesat e akterëve zhvillohen në pengesë për punën e legjislativit dhe ekzekutivit, dhe për më tepër ku fraksionizimi shoqëror qartazi është në rritje. Është e qartë se partitë politike janë grupe njerëzish që në bazë të ideve të përbashkëta synojnë të marrin pushtetin dhe të ndryshojnë politikat, mirëpo ky proces duhet bazuar në ligje dhe fakte, jo në emocione.

Qorrsokaku dhe krizat e vazhdueshme që e kanë përcjellë spektrin politik të Kosovës viteve të fundit, kanë prodhuar dëme të shumëfishta për qytetarët e Kosovës, por edhe për subjektivitetin e jashtëm të shtetit.

Instituti i Prishtinës për Studime Politike, në linjë me vlerat e Këshillit të Evropës, ka avokuar vazhdimisht për promovimin e tolerancës dhe dialogut politik, si pararoja të një sistemi të shëndetshëm demokratik. Ky reagim, së bashku me punën tonë pesëmbëdhjetë vjeçare në kuadër të Shkollës Politike, janë thirrje e organizatës sonë për krijimin e një kulture të re demokratike, bazuar në vlerat e lartëpërmendura si alternativa më e frytshme për shoqërinë dhe shtetin tonë.