Shkolla Politike organizoi seminarin ”Politika e Jashtme dhe Siguria Nacionale”

19620401_1378408872255160_373753594813568844_o

Date: 04.07.2017

Në datat 1-2 Korrik, Shkolla Politike e Prishtinës organizoi seminarin e tretë, me temën “Politika e Jashtme dhe Siguria Nacionale”. Në këtë seminar kontribuan gjashtë ligjërues: Enver Hoxhaj, Robert Muharremi, Ilir Dugolli, Blerim Reka, Burim Ramadani dhe Florian Qehaja. Seminari ofroi një informacione teorike mbi mënyrën se si studiuesit i qasen politikës së jashtme dhe politikave të sigurisë, por edhe zbatimin e tyre sa i përket nivelit praktik të politikbërjes.

Robert Muharremi, ekspert i politikës së jashtme dhe jurist, ofroi një ligjëratë dypjesëshe mbi trajtimin që i bën shkolla realiste politikës së jashtme dhe politikës ndërkombëtare; si dhe mbi mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në konventa ndërkombëtare, në vend të organizatave ndërkombëtare, duke ofruar argumente pse një qasje e tillë është më efektive dhe efiçente, për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Ilir Dugolli, në cilësinë e Drejtorit të Departamentit për NATO dhe Politika të Sigurisë, brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme, ofroi infromacione mbi marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet NATO-s dhe institucioneve ndërkombëtare, duke ofruar përgjigje edhe mbi pyetjet e ngritura rreth ushtrisë së Kosovës, prezencës së NATO-s në Ballkan dhe mandatit të KFOR-it në Kosovë. Ligjëruesi Burim Ramadani, ekspert i sigurisë, ofroi perspektivën e tij mbi zbërthimin teorik të terrorizmit, dhe rrezikun e tij praktik, si një ndër sfidat aktuale të sigurisë në Kosovë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ofroi një ligjëratë mbi marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, si dhe sfidat e së ardhmes për këtë dikaster, më saktësisht në raport me rrugën e vështirë të  anëtarësimit në organizatat e OKB-së dhe BE-së. Blerim Reka, ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore, mbajti ligjëratë me fokus në ndryshimet gjeopolitike në Ballkan pas rënies së komunizmit, duke u fokusuar në marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet shteteve të reja të Ballkanit, si dhe në të ardhmen e rajonit. Florian Qehaja, anëtar i shoqërisë civile në Kosovë si dhe ekspert i politikave të sigurisë, mbajti një ligjëratë mbi rolin e Kosovës në paqen dhe stabilitetin në Balkan, duke diskutuar kështu dy fokuset thelbësore të sigurisë: strukturat paralele në veri të vendit dhe ushtrinë e Kosovës.