banner

RRETH SHKOLLËS POLITIKE

Date: 24.07.2016

Shkolla Politike është një programi kryesor i implementuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike me përkrahjen nga Këshilli i Evropës, me qëllim të trajnimit të liderëve politikë, ekonomikë socialë dhe kulturor, për të ndihmuar procesin e tranzicionit post-komunist të shoqërisë kosovare. Këtë qëllim Shkolla synon ta përmbushë duke ndihmuar krijimin e një shoqërie moderne, kulture politike demokratike, përmes ofrimit të një hapësire për dialog dhe shkëmbim ndërmjet liderëve aktualë dhe të ardhshëm, të ardhur nga një sërë sferash. I themeluar në vitin 2003 në Kosovë, programi aktualisht implementohet në 22 vende të ndryshme të botës.

Qëllimi i programit është promovimi i një kulture të re politike, në linjë me tre parimet e Këshillit të Evropës: demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. Gjatë një viti kalendarik 30 pjesëmarrës nga partitë politike, media, shoqëria civile, administrata publike kanë mundësinë të ndjekin modulet me ligjërata, me folës vendorë dhe ndërkombëtarë. Moduli i fundit Forumi Botëror për Demokraci mbahet në zyrat e Këshillit të Evropës në Strasburg dhe mbledh Shkollat Politike nga të gjitha vendet. Në fund të programit pjesëmarrësit çertifikohen nga Këshilli i Evropës dhe Sekretari i Përgjithshëm I kësaj organizatë Thorbjorn Jagland.

Në një vështrim më të gjerë, puna e Shkollës Politike lidhet me adresimin e deficitit demokratik, sundimit të ligjit dhe çështjes së të drejtave të njeriut. Pjesëmarrësit e Shkollës janë të përzgjedhur nga një gamë e gjerë grupesh, akterësh dhe organizatash si partitë politike, administrata publike, shoqëria civile, media, grupet minoritare, biznesi dhe akademia. Kështu, Shkolla Politike synon të bashkojë akterë dhe përfaqësues nga të gjitha grupet e shoqërisë, ndërmjet të cilëve zakonisht ka një mungesë komunikimi.

Shkolla ka reputacionin e një hapësire që ofron një edukim joformal, i cili nuk mund të gjendet në institucionet formale brenda vendit. Programi organizohet nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, që ka qenë dhe vazhdon të jetë i përshirë në projekte të ndryshme të ngritjes së kapaciteteve dhe hulumtimit të politikave. PIPS është i përkrahur nga një numër donatorësh, njëri prej tyre Këshilli i Evropës i cili ofron përkrahje financiare dhe teknike për organizimin e katër moduleve të Shkollës. Përpos aktiviteteve me pjesëmarrësit, në kuadër të Shkollës Politike organizohen aktivitete me ish-pjesëmarrësit, që përfshijnë debate, tryeza, konferenca. Një grup pjesëmarrësish marrin pjesë për çdo vit në Forumin Botëror për Demokraci, i cili organizohet nga Këshilli i Evropës.

Fokusi edukativ i Shkollës mund të përshkruhet me idenë e fuqizimit të parimeve dhe praktikave demokratike. Fokusi i moduleve të Shkollës përfshin një llojllojshmëri temash dhe problemesh si: qeverisja e mirë, procesi elektoral, demokracia përfaqësuese, instrumentet për parandalimin e konfliktit, pajtimi dhe dialogu, bashkëpunimi rajonal, parimet e Integrimit Evropian dhe ekspansioni i BE-së dhe luftimi i terrorizmit dhe krimit të organizuar. Për më tepër, një nga shtyllat kyçe të Shkollës është ofrimi i dijenive prakike sikur për shembull komunikimi apo të folurit publik, përmes së cilave pjesëmarrësit mund të përmirësojnë funksionimin e institucioneve, grupeve apo organizatave ku ata operojnë. Shkolla pranon një grup prej 30-35 pjesëmarrësish brenda një viti akademik. Ata janë të përzgjedhur në bazë të aftësive të tyre qytetare, sociale dhe atyre profesionale, duke marrur në konsideraë edhe faktorë të tjerë relevantë politikë, gjeografikë, social, etnik dhe gjinor. Një numër i lartë ish-pjesëmarrësish të Shkollës Politike kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë pozicione kyçe në jetën politike në Kosovë. Në anën tjetër, ligjëruesit e Shkollës janë ekspretë të fushave, të përfshirë në proceset politike dhe jetën publike nga sfera të ndryshme. Ligjëruesit e Shkollës përfshijnë politikanë, përfaqësuesh institucionesh dhe organizatash, akademikë, gazetarë, diplomatë dhe biznismenë.

Shkolla Politike e Prishtinës është pjesë e rrjetit të Shkollave Politike, nën ombrellën e Këshillit të Evropës. Rrjeti numëron gjithsej 21 Shkolla Politike, që përfshijnë rajonin e Evropës Lindore dhe Jug-lindore, rajonin e Kaukazit si dhe atë të Mesdheut Jugor. Secila Shkollë ka historinë e saj specifike dhe operon në një ambient specifik. Prioritetet dhe programet e Shkollës janë të ndikuara nga historia e këtyre shteteve, dhe natyrat e sistemeve politike të tyre, megjithatë pikë e përbashkët e të gjithave është fakti se janë pjesë e shoqërive me tranzicion demokratik dhe se ndajnë të njëjtat objektiva sa i përket progresit të parimeve demokratike dhe qeverisjes së mirë në vendet përkatëse, duke gëzuar përkrahjen e Këshillit të Evropës. Lidhur me këtë,  Drejtori i Shkollave Politike, në vitin 2008 themeloi Asociacionin e Shkollave Politike. Qëllimi i këtij Asociacioni është të forcojë lidhjet, si dhe të promovojë rrjetëzimin e Shkollave. Rrjeti komunikon si mekanizëm i mëvetësishëm dhe është i përfshirë në aktivitete zhvillimore, me të gjitha Shkollat. Kësisoj, Asociacioni bashkë me rrjetin e tij, luan një rol të rëndësishëm në përkrahjen e aktiviteteve dhe komunikimi ndërmjet pjesëmarrësve të Shkollës Politike.

 

KUSH MUND TË APLIKOJ?

Shkolla Politike e Prishtinës është në kërkim të individëve të motivuar, me interes për zhvillimet dhe teoritë politike, të bindur në aftësitë e tyre për ndryshime pozitive për komunitetin, në bazë të parimeve të dialogut politik dhe tolearncës.

Kandidatët të cilët mund të aplikojnë për të vijuar programin e Shkollës Politike duhet të plotësojnë kriteret si më poshtë:

– Qytetarë të Republikës së Kosovës;

– Aktiv dhe aspirues për tu veçuar në fushën e tyre të veprimit;

– Përfaqësues të partive politike, institucioneve, medias, OJQ-ve dhe biznesit;

– Të diplomuar dhe të punësuar;

– Njohuri të gjuhës angleze (e obligueshme);

– Jo më të vjetër se 40 vjeçar/e;

– Kandidatët që reflektojnë diversitet dhe spektër të gjerë të qëndrimeve personale e politike;

 

Kandidatët me rastin e pranimit duhet të paguajnë shumën prej pesëdhjetë (50) euro. Kandidatët duhet të jenë të përzgjedhur në mënyrë të barabartë nga kategoritë në vijim:

– Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës;

– Përfaqësues të OJQ-ve, medias, Universitetit, Institucioneve të pavarura dhe biznesit;

– Shërbyes civil, duke përfshirë përfaqësues nga niveli qendror dhe ai lokal si dhe fusha e gjyqësorit;

– Përveç kritereve të mësipërme, procedura e përzgjedhjes së përcaktuar nga Shkolla do të favorizojë ata kandidatë të cilët demonstrojnë njohuri dhe gatishmëri për t’u angazhuar aktivisht në programin akademik dhe profesional, dhe shprehin qëndrimet e tyre lirshëm, ta ndjekin rregullisht programin dhe përmbushin kërkesat e Shkollës Politike;