Editorial: Kushtëzimet e Sundimit të Ligjit në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së

Date: 06.02.2017

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit paraqet një marrëdhënie kontraktuale mes Bashkimit Evropian dhe vendeve që aspirojnë anëtarësimin në kuadër të procesit të stabilizim asociimit. Për më shumë se një dekadë e gjysëm, marrëveshjet e stabilizim asociimit kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në Ballkan duke ju mundësuar këtyre vendeve një perspektivë evropiane. Në mënyrë që shtetet të mund të nënshkruajnë e me pas të zbatojnë MSA-në me BE-në, ato duhet të tregojnë një angazhim serioz në ndërmarrjen e reformave demokratike, të respektojnë të drejtat e njeriut dhe pakicave, të garantojnë lirinë e shprehjes, si dhe të realizojnë zgjedhje të lira dhe të drejta. Gjithashtu ato duhet të sigurojnë zbatimin e reformave ekonomike dhe të zotohen për rritje të bashkëpunimit rajonal. Në këtë mënyrë, me nënshkrimin e MSA-së Kosova ka marrë përsipër zbatimin e një sërë reformash që rrjedhin drejtëpërdrejtë nga kjo marrëveshje brenda një afati të caktuar. Edhe pse kjo marrëveshje është në thelb një marrëveshje ekonomike, një vëmendje e veçantë duhet ti kushtohet reformave në sektorin e sundimit të ligjit. Kjo sepse, që nga viti 2012, sundimi i ligjit është vendosur në qendër të politikës së zgjerimit të BE-së dhe vazhdon të mbetet një nga prioritetet kyçe në këtë proces. Për më tepër në strategjinë e zgjerimit të hartuar nga Komisioni Evropian në vitin 2015, theksohet se shtetet që aspirojnë të anëtarësohen në BE duhet të themelojnë dhe promovojnë funksionimin e institucioneve kyçe që garantojnë sundimin e ligjit që në fazat e hershme.

 

Çfarë nënkuptojnë më konkretisht reformat në sundimin e ligjit për Kosovën sipas MSA-së?  Kjo marrëveshje ngërthen në vetvete shumë fusha, duke filluar nga dialogu politik, rritja e bashkëpunimit rajonal, përafrimi i legjislacionit vendas me atë të BE-së, si dhe lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Një pikë kyçe e kësaj marrëveshje, duke pasur parasysh edhe shtetformimin e Kosovës, janë reformat në sundimin e ligjit. Edhe pse reformat në këtë fushë në tekstin e MSA-së nuk zënë një pjesë të madhe të tij, ato duhen parë me një vëmendje të veçantë dhe me një përkushtim serioz nga qeveria e Kosovës. Duke u bazuar në eksperiencat e vendeve të rajonit, sfidat kryesore në zbatimin e MSA-së kanë qenë në reformimin e institucioneve të sundimit të ligjit. Kjo sepse përmbushja e objektivave në fushat e tjera të MSA-së është e lidhur ngushtë me funksionimin e mirëfilltë të këtyre institucioneve.

 

Në mënyrë që të realizohen objektivat e dala nga MSA-ja për sa i përket fushës së sundimit të ligjit, institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në konsolidimin e sistemit të drejtësisë, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies të qeverisë dhe zyrtarëve të saj, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, parandalimin dhe kontrollin e migrimit të jashtëligjshëm, mbrojtjen e të dhënave personale, mbrojtjen dhe menaxhimin e kufirit, si dhe hartimin dhe miratimin e ligjeve përgjatë një procesi transparent, efikas dhe të drejtë. Duke u mbështetur edhe në eksperiencat e vendeve të rajonit, fushat më problematike në të cilat Kosova do të ketë vështirësi gjatë implementimit dhe për të cilat kërkohet një vëmendje e veçantë nga qeveria dhe institucionet përkatëse janë tre:

Së pari, MSA-ja përcakton se konsolidimi dhe fuqizimi i institucioneve të sundimit të ligjit paraqet themelin për bashkëpunim në çështjet e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë. Kjo i referohet jo vetëm miratimit dhe zbatimit të ligjeve në ketë fushë por edhe fuqizimit të pavarësisë dhe llogaridhënies së gjyqësorit, paanësisë në marrjen e vendimeve, si dhe rritjen e efikasitetit të tij. Gjithashtu theksohet se këto institucione duhet të jenë të përgatitura për bashkëpunim në çështjet civile, komerciale dhe penale. Komisioni Evropian ka shprehur shqetësimin për efektivitetin dhe llogaridhënien në sektorin e gjyqësisë, duke theksuar se institucionet e gjyqësorit janë ende të ekspozuara ndaj ndërhyrjeve politike. Emërimet e kontestuara dhe mandatet e paqarta kanë minuar aktivitetet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Prokurorisë së Kosovës dhe zyrës së Prokurorit të Shtetit. Përmbushja e këtyre obligimeve paraqet sfidë serioze për qeverinë e Kosovës dhe nuk do të jetë e realizueshme pa përkushtim të mirëfilltë politik në të gjitha nivelet.

 

Pikë e dytë e rëndësishme është parandalimi dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Luftimi i këtyre dukurive është një ndër pikat kyçe jo vetëm për zbatimin e MSA-së por edhe për rrugën e Kosovës drejt integrimit Evropian. Më konkretisht, pikat që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përqendrohen në forcimin dhe koherencën e sistemit ligjor, zbatimin adekuat të Strategjisë kundër Korrupsionit, rritjen e kapaciteteve të prokurorisë dhe gjykatave për hetimin e rasteve të korrupsiont të personave me ndikim politik, si dhe rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional. Një fokus i veçantë i kushtohet luftës kundër krimeve ekonomike, ku kërkohet përmirësimi i kornizës ligjore, funksionalizimi i mekanizmave për hetime financiare dhe konfiskime të aseteve, kryerja e hetimeve të përbashkëta midis institucioneve të Kosovës dhe atyre të vendeve anëtare të BE-së, si edhe rritja e nivelit të ekspertizës në institucionet e përfshira në këtë proces.

 

Së treti, kërkohet një përkushtim më i madh nga ana e institucioneve për sa i përket pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. MSA-ja në këtë pikë parasheh miratimin dhe zbatimin e legjislacionit që ka të bëjë me parandalimin, hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e këtyre rasteve dhe krijimin e një sistemi efikas kontrolli kundër pastrimit të parave. Gjithashtu theks të veçantë i kushtohet koordinimit mes institucioneve relevante vendase me ato të vendeve anëtare të BE-së, si dhe forcimit të kapaciteteve të institucioneve kryesore për luftën kundër pastrimit të parave. Kjo fushë vazhdon të mbetet sfidë për institucionet e Kosovës edhe pse është adresuar në Udhërrëfyesin për Liberalizim të Vizave për Kosovën.

 

Në përfundim, përmbushja e detyrimeve që rrjedhin nga MSA-ja do jetë një proces sfidues dhe i gjatë për Kosovën, ashtu siç ka qenë edhe për vendet e tjera të Ballkanit. Rrjedhimisht, qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë përpjekje dhe ti kushtojë vëmendje të veçantë zbatimit të të gjitha reformave në kuadër të MSA-së, veçanërisht atyre të sundimit të ligjit, në mënyrë që ky proces të jetë sa më i suksesshëm.

Albana Merja & Delfinë Elshani – Grupi për Studimie Juridike dhe Politike

*Ky editorial është shkruar në kuadër të Projektit të Promovimi i Marrëveshjes Stabilizim Asociim dhe fillimi i debatit publik rreth të Ardhmes Evropiane të Kosovës, implementuar nga Instituti i Prishtinës Për Studime Politike dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe financuar nga ambasada e Mbretërisë Holandeze në Kosovë.

*Ky editorial eshte botuar ne http://koha.net/?id=55&l=154355